

Kuriozitete
Dhjetë mistere antike ende të pazgjidhura
Këto kanë ndikuar shumë tek imagjinata e publikut për shekuj me radhë.
Published
2 years agoon
By
Betim GashiHistoria e lashtë është e mbushur me mistere të pazgjidhura, disa prej të cilave nga vend-varrimet te qytetet e fundosura, kanë ndikuar shumë tek imagjinata e publikut për shekuj me radhë. Ja cilat janë dhjetë prej tyre:
1. Vijat Nazca
Afro 2000 vjet më parë, një qytetërim para-inkas gdhendi një sërë vizatimesh gjigante në rrafshnaltën e thatë të Perusë. Të njohur si Vijat Nazca, këto gjeoglife mbetën të panjohura derisa avionët filluan të fluturonin mbi zonë në vitet 1930. Deri më sot, janë zbuluar mbi 1000 modele. Shumica janë vija të drejta, që shtrihen deri në 48 km, ose forma gjeometrike, nga trapezoidët tek spirale.
Ndërkohë të tjerat paraqesin kafshë dhe bimë, përfshirë një merimangë, një koliber, një majmun, një balenë, një gjarpër me dy koka, një qen dhe një figurë humanoide me nofkën “Astronauti”. Në vitin 2022, u zbuluan 168 gjeoglife, por studiuesit nuk e kuptojnë ende qëllimin e tyre. Një hipotezë i lidh ato me ritualet e ujit, megjithëse ka shumë supozime.
2. Thonis-Heracleion
Një qytet port egjiptian në Detin Mesdhe, Thonis-Heracleion shërbeu si një qendër kryesore tregtare përpara themelimit të Aleksandrisë aty pranë rreth vitit 331 Para Erës Sonë. Heroi i mitologjisë Herakliu (Herkuli) dhe Helena e Trojës supozohet se kaluan disa kohë atje. Megjithatë, rreth shekullit II Para Krishtit, qendra e qytetit u shemb për shkak të lëngëzimit të tokës, ndoshta e shkaktuar nga tërmetet, cunami ose përmbytjet.
Në fund i gjithë Thonis-Heracleion u fundos nën ujë, ku mbeti i humbur derisa u ri-zbulua në fillim të viteve 2000 nga arkeologët detarë. Statuja të mëdha, sarkofagë kafshësh, rrënoja tempujsh, copat e qeramikës, bizhu, monedhat, madje edhe shporta me fruta 2400-vjeçare janë nxjerrë nga dallgët, duke hedhur kështu një dritë të re mbi këtë Atlantidë reale.
3. Rrafshnalta e Kavanozëve
Mijëra kavanoza prej guri të Epokës së Hekurit, disa afro 3 metra të lartë dhe që peshojnë disa ton, mbulojnë peizazhin malor të Laosit verior. Të gdhendura kryesisht nga gurë ranorë dhe të gjetur në grupe që variojnë nga vetëm 1 deri në 400, legjenda thotë se gjigantët i përdornin ato si gota vere.
Por shumë arkeologë besojnë se ato shërbyen si krematoriume për djegien e trupave të të vdekurve. Por ka ende shumë gjëra të panjohura për qëllimin e tyre, mbi mënyrën se si u zhvendosën deri atje dhe për qytetërimin që i prodhoi ato. Studimet e fundit kanë zbuluar se disa prej kavanozëve prej guri datojnë që në vitin 1240 Para Krishtit, pra shumë më të vjetra se skeletet njerëzore të varrosura aty pranë. Problemi është se shumë prej kavanozëve gjenden në fushat e municioneve të pashpërthyera, mbetjet Luftës së Vietnamit, ndaj nuk mund të studiohen në mënyrë të sigurt.
4. Gjiri Guanabara
Duke vepruar sipas një informacioni të marrë nga vendasit, eksploruesi i anijeve të mbytura, Robert Marx, pretendoi në vitin 1982 se kishte zbuluar një numër vazosh romake me dy doreza, të njohura si amfora, në Gjirin Guanabara të Brazilit. Sipas tij, amforat siguruan prova se romakët ishin evropianët e parë që zbarkuar në Brazil, ose 1 mijë vite më herët se portugezët.
Megjithatë, ai nuk ishte në gjendje ta eksploronte plotësisht vendin, pasi qeveria braziliane e ndaloi për shkak të një plaçkitje të dyshuar të sitit. Marx akuzoi Marinën e Brazilit për hedhjen e sedimenteve mbi amfora në mënyrë që të pengohej rishkrimi i historisë. Deri më sot, një prani romake në brigjet e Brazilit mbetet ende e paprovuar.
5. Paracas Candelabra
Në veriperëndim të Vijave Nazca, të gdhendura në një kodër me pamje nga Gjiri Pisko në Peru, shtrihet Candelabra Paracas, një tjetër gjeoglif masiv me një shtrirje prej rreth 183 metrash nga lart poshtë. Ndonëse qeramika e gjetur në vend daton rreth vitit 200 Para Krishtit, askush nuk e di moshën e vetë figurës në formën e një shandani. Edhe arsyeja e saj e ekzistencës mbetet po aq e paqartë. Një teori thotë se ai shërbeu si një mjet orientimi për marinarët, ndërsa një tjetër pretendon se përshkruante treshen e Zotit krijues.
6. Sacsayhuamán
Diku tjetër në Peru, në periferi të Cuzco, ndodhen mbetjet e kështjellës Sacsayhuamán, e cila u ndërtua me kujdes nga inkasit në vitet 1400. Ashtu si në Machu Pichu, punëtorët inkas lëvizën gurë të mëdhenj – disa prej të cilëve peshonin 125 tonë ose më shumë – përpara se muratorët t’i prisnin në copa më të vogla, duke përdorur vetëm vegla bronzi dhe guri dhe t’i vendosnin mbi njëri-tjetrin pa llaç. Ndonëse kolonizatorët spanjollë çmontuan pjesën më të madhe të kështjellës për t’i përdorur si materiale ndërtimi, Sacsayhuamán ka mbetur strukturalisht e fortë për t’i bërë ballë tërmeteve të mëdha dhe shkatërrimeve të tjera të kohës.
7. Varri i Kleopatrës
Si një sundimtare e lashtë, për Kleopatrën VII, ose të ashtuquajturën mbretëresha e fundit e Egjiptit, dihet shumë. Ajo u bashkua me Jul Çezarin dhe Mark Antonin dhe më vonë kreu vetëvrasje në vitin 30 Para Erës Sonë pas humbjes së Antonit dhe të saj në Betejën e Aktiumit përballë Oktavianit.
Por vendndodhja e Antonit dhe varrit të saj – supozohet se çifti u varros së bashku – mbetet një mister. Disa studiues besojnë se ai ndodhej në Aleksandri, kryeqyteti i saj dhe qendra dikur kulturore e botës mesdhetare, dhe humbi kur një cunami përmbyti qytetin në vitin 365 Pas Krishtit. Të tjerë dyshojnë se ndodhet diku tjetër në deltën e Nilit, ndoshta në një tempull kushtuar Isis dhe Osiris, perënditë me të cilat u lidhën përkatësisht Kleopatra dhe Antoni.
8. Dorëshkrimi i Voynich
Në vitin 1912, tregtari i librave të rrallë, Wilfrid Voynich, shtiu në dorë një dorëshkrim mesjetar që ai pretendonte se ishte vendosur në “një kështjellë të lashtë në Evropën Jugore”. E shkruar në një gjuhë ose kod të zhdukur, askush nuk mund ta njihte origjinën. Ai ishte mbushur me ilustrime të çuditshme të bimëve fiktive dhe grave të zhveshura.
Kriptografi britanik Alan Turing dhe FBI-ja amerikane u përpoqën ta zgjidhnin misterin por dështuan. Disa dyshojnë se ky dorëshkrim është një mashtrim i sofistikuar. Dorëshkrimi i Voynich ndodhet sot në Universitetin e Yale, i disponueshëm për publikun dhe cilindo që është i interesuar të përpiqet ta zgjidhë një herë e përgjithmonë këtë enigmë.
9. Monumenti Yonaguni
Në brigjet e ishullit Yonaguni të Japonisë shtrihet një strukturë shkëmbore nënujore, të paktën 50 metra e gjatë dhe 20 metra gjerë, që i ngjan një piramide të ndërtuar nga njeriu. I zbuluar në vitet 1980 dhe i njohur tani si Monumenti Yonaguni, disa studiues besojnë se ato janë rrënojat e një qytetërimi të lashtë. Megjithatë, shumë studiues të tjerë pretendojnë se “Atlantida e Japonisë” nuk është gjë tjetër veçse një fenomen natyror i formuar nga ngritja tektonike dhe rrymat e oqeanit.
10. Stonehenge
Stonehenge, një nga monumentet prehistorike më të famshme në botë, filloi rreth 5000 vjet më parë, përpara se Anglia të hynte në Epokën e Bronzit. I studiuar mirë për shekuj me radhë, shumica e studiuesve e pranojnë se funksiononte si një vend varrimi, dhe tani dihet se nga erdhën gurët e mëdhenj. Megjithatë, sekretet e tjera të Stonehenge mbeten mister, përfshirë rëndësinë e tij të mundshme fetare, ceremoniale, astronomike dhe terapeutike./history.com – bota.al
Kuriozitete
Pse nuk bën të parkosh automjetin në bar të thatë?
Published
1 week agoon
July 11, 2025By
UBT News
Vera është koha e të nxehtit të madh dhe thatësirave, dhe e gjitha kjo është një terren i përshtatshëm për zjarre.
Burimet e zjarreve mund të jenë të ndryshme, nga ato natyrore deri te zjarrvënësit që kënaqen me flakët.
Në Spanjë, Agjentët e mbrojtjes së mjedisit lëshuan paralajmërimin interesant, parkimi i veturave mbi thatësi, veçanërisht pas një udhëtimi të gjatë, është i rrezikshëm. Shkaku qëndron te sistemi i shkarkimit të gazrave, pra te katalizatori, komponent i projektuar për të reduktuar ndotjen që lëshojnë automjetet.
Gjatë funksionimit normal, ky element mund të arrijë temperatura të larta, nga 400 deri në 800 gradë Celsius, duke shkaktuar ngrohje të konsiderueshme në zonën poshtë makinës. Pas një udhëtimi prej disa kilometrash, nxehtësia në pjesën e poshtme të automjetit mund të arrijë në 300 gradë Celsius.
Nëse vetura parkohet mbi bar të thatë, nxehtësia mjafton që bimësia të nisë të digjet për disa sekonda.
Masa më e thjeshtë për të shmangur këtë lloj zjarri është të mos parkoni automjetet jashtë zonave të përcaktuara për këtë qëllim, veçanërisht në vende ku ka bimësi të thatë.
Kuriozitete
Barbie bën versionin e kukullës me diabet të tipit 1
Published
1 week agoon
July 9, 2025By
UBT News
Kukulla e re “Barbie” nga kompania e njohur e lodrave “Mattel” ka pompë insuline e monitor të glukozës, e cila është pjesë e serisë së re të kukullave të lansuara nga brendi, ka raportuar The Guardian.
Kjo kukull është projektuar në mënyrë që fëmijët me diabet ta ndiejnë veten të përfshirë në shoqëri..
Në filmin “Barbie”, të regjisores Greta Gerwig, Barbieland është vend i gjithëpërfshirjes e diversitetit. Që nga 2019 “Mattel” ka filluar të prodhojë kukulla me aftësi të kufizuara, ani pse kjo kukull e njohur ekziston që nga viti 1959.
Kompania ka lansuar “Barbien” e parë me sëmundjen e diabetit të tipit 1, edicioni i fundit i rangut, për të cilin ka deklaruar se është projektuar “të ua mundësojë fëmijëve ta gjejnë veten te kjo kukull e ta inkurajojnë sa më shume lojën me kukulla përtej eksperiencave jetësore”.
Diabeti i tipit 1 është sëmundje autoimune ku vet trupi i sulmon dhe i shkatërron qelizat e pankreasit që e krijojnë insulinën. Sëmundja diagnostikohet në fëmijëri dhe pacientët monitorojnë nivelin e sheqerit në gjak e të marrin insulinë.
“Barbie” e re është dizajnuar në bashkëpunim me organizatën jo-fitimprurëse Breakthrough T1D.
Kukulla ka një pajisje për monitorimin e glukozës, që e ka të vendosur në krah, një telefon mobil me aplikacionin CGM, i cili iu ndihmon që ta përcjellë nivelin e sheqerit në gjak. Ajo ka pompë insuline një çantë që ia zë të gjitha pajisjet mjekësore që i duhen si dhe ushqimet.
Krista Berger, zëvendës shefe e kukullave “Barbie” në “Mattel”, ndërkohë që po promovonte kukullën e re ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm drejt përkushtimit që ka kompania për gjithëpërfshirje dhe përfaqësim.
“‘Barbie’ ndihmon fëmijët të fitojnë përceptimet e para për botën, duke reflektuar edhe sëmundjen e diabetit tipi 1, sigurohemi që më shumë fëmijë të mund ta shohin veten në historitë që i imagjinojnë përmes lojës me kukullat që i duan”, ka thënë Berger.
“Barbie” e parë afroamerikane u lansua gjatë viteve ’60, kurse ato hispanike u lansuan gjatë viteve ’80, ndërkohë që shumë kukulla në profesione të ndryshme që ushtrojnë gratë u prezantuan në vitet ’90 e 2000.
Në ditët e sotme ka më shumë se 175 lloje të ndryshme të kukullave në fjalë, me shumë ngjyra lëkure, syve, flokëve, tipe të ndryshme trupash si dhe aftësive të kufizuara trupore. Kompania ka përshirë edhe “Barbien” e verbër, “Barbien” afromarikane më sindromë Down, kukulla me aparat dëgjimi, me proteza të ndryshme për gjymtyrë, kukulla me karrocë si dhe “Barbien” më sëmundjen e lëkurës, që quhet vitiligo.
“Barbie” nuk është e vetmja kukull që fokusohet te diversiteti. Kompanie e lodrave “Lottie” ka kukulla me sindromën Down si dhe me autizëm, ndërkohë që kompania “Lego” shet shumë lloje të figurave që kanë aftësi të kufizuara fizike.
“Përfaqësimi ka rëndësi, sidomos në fëmijëri. Të shohësh ‘Barbie’ me diabet të tipit 1 ndihmon në normalizimin e kësaj sëmundje e në uljen e stigmatizimit dhe u tregon fëmijëve që nuk qëndrojnë vetëm në këtë botë. Ky është hap pozitiv drejt ndërtimit të vetëbesimit, përfshirjes dhe kuptimit se si është të jetosh me diabet”, ka thënë Arjun Penasar, shef ekzekutiv i “diabetes.co.uk”.
Kuriozitete
Çfarë janë kukullat Labubu dhe pse njerëzit po lënë kokat pas tyre?
Published
2 weeks agoon
July 7, 2025By
UBT News
Labubu, një krijesë e vogël me veshë lepurushi, dhëmbë të theksuar dhe veshje të çuditshme, është kthyer në aksesorin më të paparashikuar të verës 2025.
I varur në çanta Hermès, Louis Vuitton apo Bottega, kjo lodër e çuditshme ka rrëmbyer jo vetëm influencueset dhe VIP-at si Rihanna, Dua Lipa dhe Lisa nga Blackpink, por edhe gjithë gjeneratën Z.
Si u krijua Labubu?
Kukulla Labubu u krijua më 2015 nga Kasing Lung. E frymëzuar nga mitologjia nordike, Labubu është pjesë e universit “The Monsters” dhe përfaqëson një personazh të mirë që shpesh gabon pa dashje. Kukullat vijnë në forma të ndryshme dhe të mbështjella me kostume në varësi të një tematike dhe shiten si “blind boxes”, pra ti nuk e di kurrë cilën do të marrësh derisa ta hapësh.
Pse janë bërë kaq të famshme?
Nostalgjia – Shumë nga blerësit e sotëm janë rritur me anime, lodra dhe personazhe të viteve ’90 dhe 2000. Tani, me më shumë të ardhura, ata rikthehen tek ato ndjesi të thjeshta dhe të lumtura përmes kukullave si Labubu.
Kultura e “kidult” – Brezat e rinj nuk kanë më frikë të përqafojnë fëmijërinë edhe si të rritur. Tregu i lodrave për të rritur është në bum.
Elementi i misterit – Kukullat vijnë të fshehura në kuti “surprizë”, duke krijuar ndjesinë e lojës me fat. Ndjenja e emocionit nga unboxing-u është si një dozë dopaminë.
A do të rritet vlera e tyre?
Shumë mund të shihen si investim, njësoj si kartat Pokémon apo Beanie Babies dikur. Një Labubu i rrallë është shitur për 1,000 paund. Marka po zgjeron “universin” me produkte të reja si kapëse flokësh, mbështjellës për AirPods apo aksesorë telefoni. Herën tjetër kur të shohësh një kukull të vogël me dhëmbë të çuditshëm që rri varur në një çantë luksoze, ndoshta duhet të pyesësh veten “çfarë është më me vlerë – çanta, apo Labubu?”.
Kuriozitete
Autizmi tashmë mund të zbulohet nga testi në një fije floku
Published
2 weeks agoon
July 5, 2025By
UBT News
Shkencëtarët kanë shpikur një test universal për autizmin tek foshnjat që përdor një fije floku.
Ai analizon mostrën për nivelet e metaleve si plumbi dhe alumini, të cilat janë më të larta te fëmijët autikë. Testi përfshin dërgimin e një mostre flokësh në laborator për analizë dhe u tregua se parashikonte autizmin me saktësi 81 për qind të kohës në një studim të rishikuar nga kolegët.
Shkencëtarët tjerë e shpallën testin si zhvillim ‘novator’ për gjendjen famëkeqe të vështirë për t’u diagnostikuar që prek 5.4 milionë amerikanë dhe 700,000 britanikë. Për shkak se nuk ka asnjë test standard për gjendjen, mjekët duhet të mbështeten në historinë e zhvillimit dhe sjelljen e fëmijës.
Për testin, shkencëtarët përdorin një lazer për të hequr shtresën sipërfaqësore të flokëve. Një lazer i dytë, më i fuqishëm, lëshohet më pas përgjatë flokëve, i cili merr matje në 650 pikë për çdo centimetër. Kjo gjithashtu e kthen fillesën në plazmë.
Kontrollon për substanca të lidhura me autizmin duke përfshirë metale; plumbi, kadmiumi, arseniku, zinku e bakri ndër të tjera. Hulumtimet e mëparshme kanë gjetur nivele të larta të të tre metaleve elementare në flokët e fëmijëve autikë. Rezultatet futen në program i cili kërkon modele që tregojnë autizëm.
Ata testuan metodën në fijet e flokëve të mbledhura nga 220 fëmijë japonezë kur ata ishin rreth një muajsh. Rezultatet u krahasuan me diagnozën klinike të autizmit, e përfunduar kur të rinjtë ishin rreth katër vjeç. Shkencëtarët zbuluan se testi i tyre identifikoi saktë autizmin në 394 raste (81 për qind e totalit).
Ai identifikoi autizmin në 96.4 për qind të fëmijëve dhe ia dha plotësisht të qartë 75.4 për qind që nuk kishin autizëm. Autizmi është diçka me të cilën njerëzit lindin, gjë që çon në funksionimin e trurit të tyre ndryshe nga ai i njerëzve të tjerë. Ata me këtë gjendje mund të luftojnë për të komunikuar, e kanë të vështirë të kuptojnë se si mendojnë ose ndihen të tjerët, ose shqetësohen dhe mërziten në situata të panjohura dhe ngjarje shoqërore.
Shkencëtarët nuk janë të qartë se çfarë e shkakton këtë gjendje, megjithëse mendohet se janë të përfshirë faktorë mjedisorë dhe gjenetikë.

Sërish s’ka konstituim të Kuvendit, Nisma pret sinjal pozitiv nga LVV-ja

Raportohet për të paktën 26 të vrarë në Gazë

Popoviq në mbajtje për 48 orë pas fjalimit kundër UÇK-së, i sekuestrohen dy telefona

14-vjeçari ndalohet me armë zjarri dhe sprej në Ferizaj

Trump nënshkruan projektligjin historik për kriptovalutat

Sot tentimi i 49-të për konstituimin e Kuvendit

Ligjëratë mbi Vëzhgimin Satelitor në kuadër të Akademisë Verore në Fakultetin e Sistemeve të Informacionit

Vizitë zyrtare dhe ligjërata akademike nga profesorët e University of Sannio në UBT

UBT vazhdon të vendosë standarde globale – përkrah universiteteve më prestigjioze në botë në rangimin e fundit global nga WURI
Të kërkuara
-
Lajmet nga UBT1 month ago
UBT organizon debat rreth zgjerimit të BE-së dhe ruajtjes së vlerave evropiane
-
Lajmet nga UBT3 months ago
Profesori, Arsim Hajdari, doktoron me temën “New Perspective of Biological Therapy in Treatment of Age-Related Macular Degeneration”
-
Lajmet nga UBT2 months ago
UBT – Institucioni privat me më së shumti programe të akredituara nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës
-
Lajmet nga UBT2 months ago
UBT rilicencohet nga MAShTI për ofrimin e arsimit profesional në katër drejtime të rëndësishme shëndetësore