Ekspertët vlerësojnë se Kosova ende vuan nga brishtësia juridike

Drejtesia

Edhe 17 vjet nga përfundimi i  luftës, Kosova ende s’e ka përforcuar sistemin e  drejtësisë. Ekspertët thonë se dobësia qëndron në moszbatimin e ligjeve, politizimin e organeve të drejtësisë, punësimin mbi baza familjare në institucione, zvarritjen e zgjidhjes së lëndëve të qytetarëve etj.
“Sistemi i drejtësisë në Kosovë funksionon mbi bazën e legjislacionit ekzistues në Republikën e Kosovës”, ka thënë për Ubt news, zëvendësi i Avokatit të Popullit, Isa Hasani. Ky thotë se sistemi i drejtësisë s’është aq keq, megjithëse pranon se ka çalime. Sipas tij, sfidat me të cilat po përballen qytetarët nga sistemi i drejtësisë janë se sistemi gjyqësor, përkundër reformave të shumta, ende nuk ka arritur të jetë funksional dhe të bëhet sipas kërkesave që garantojnë mbrojtjen e qytetarëve.

“Gjyqësori i vendit ende ballafaqohet me zvarritje të lëndëve, të cilat po zgjasin 5, 6 apo edhe 10 vjet. Kjo është padrejtësia më e madhe që iu bëhet qytetarëve. Një sfidë e madhe është edhe mosfunksionimi i sistemit gjyqësor në veri të vendit, gjegjësisht në Mitrovicë”, ka vijuar Hasani me konstatimin se këtë vit pritet që të arrihet funksionalizimi i këtij sistemi edhe në at pjesë. Zëvendësi i Avokatit të Popullit, Hasani, konsideron se sistemi i drejtësisë në Kosovë duhet të orientohet sipas meritokracisë, jo nepotizmit apo ndikimeve politike. “Nëse sistemi vepron mbi baza të meritokracisë, atëherë profesionistët e njohin zejen e juridikut. Atyre duhet lënë duart e lira që ta zbatojnë ligjin”, ka vijuar Hasani, sipas të cilit në momentin që përcaktimi i gjyqtarëve bëhet nga ana politika, gjyqtarët bëhen të anshëm, subjektiv.  Se ka probleme në fushën e drejtësisë në Kosovë e ka pranuar edhe dekani i Juridikut në UBT, Ardian Emini. Sipas tij, në momentin që gjyqtarët zgjidhen në bazë të përvojës së tyre dhe të kapaciteteve intelektuale, atëherë kemi të bëjmë me sistem objektiv.

“Kjo sepse gjykohet në bazë të parimeve të drejtësisë”, ka thënë Emini me konstatimin se drejtësia në Kosovë tashmë po përballet me interferim kompetencash tek gjyqtarët. Emini ka shtuar se Kosova si shtet i ri është shkëputur nga seistemi i vjetër i drejtësisë dhe ka ndërtuar të riun, por vazhdon ai, sistemi i ri vazhdon të jetë i brishtë. Pos problemeve të tjera korruptive, Emini e sheh gabimin edhe tek jnepotizimi në organet e drejtësisë.

“Ndikimet politike në sistemin e drejtësisë në Kosovë janë prezente në disa mënyra. Mënyra më e drejtpërdrejtë është përmes buxhetit. Sistemi nuk përkrahet sa duhet dhe kjo reflekton në joefikasitet, rrjedhimisht në minimizimin e rezultateve”, ka thënë, ndërkaq, Betim Musliu, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, duke përmendur si elemente të këqija edhe ndikimin e politikës në emërimin e shërbëtorëve të saj në drejtësi. Prandaj, është shprehur ai, mungon sistemi i llogaridhënies nga gjykatësit dhe prokurorët.

Musliu mendon se Republika e Kosovës nuk vuan për mungesë të ligjeve, por ka nevojë për ndryshim e plotësim të kuadrit ligjor dhe harmonizim me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian.

“Kosova nuk vuan nga mungesa e ligjeve, por vuan nga moszbatimi i ligjeve, të cilat pamundësojnë qasjen e duhur të qytetarëve në drejtësi”, ka thënë Musliu. Sidoqoftë, Musliu konsideron se brishtësia pamundëson realizimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe standardet ndërkombëtare.

“Për shkak të shumë problemeve në funksionimin efikas dhe efektiv të sistemit të drejtësisë, qytetarët nuk arrijnë të realizojnë të drejtat në kohë të arsyeshme, pasi zgjidhja e lëndëve të tyre, zgjatë me vite të tëra”, ka përfunduar Musliu.

Besarta Breznica


Warning: count(): Parameter must be an array or an object that implements Countable in /home/ubtnews/public_html/wp-includes/class-wp-comment-query.php on line 405

Leave a Reply

Your email address will not be published.